Katër granata dore dhe dy armë automatike janë gjetur paraditen e sotme në zonën e pyllit të Sodës, pranë kanalit të hidrovorit në qytetin e Vlorës.
Sipas të dhënave paraprake, armët dhe municionet dyshohet se mund të jenë groposur ose hedhur në këtë zonë prej shumë vitesh, ndoshta që pas trazirave të vitit 1997.
Menjëherë pas zbulimit, policia ka rrethuar perimetrin e sigurisë dhe ka marrë masa për izolimin e zonës.
Nga verifikimet e para rezulton se armët dhe granatat kanë qenë të mbështjella dhe nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm.
Në vendngjarje priten specialistët përkatës, të cilët do të bëjnë largimin dhe asgjësimin e tyre, ndërsa policia vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
