Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar protestat masive që po zhvillohen në vend kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Kulluri theksoi se kjo revoltë nuk vjen me urdhër partie, por buron nga acarimi i rinisë dhe qytetarëve me kupolën politike që drejton vendin.
Sipas tij, qëllimi kryesor është restaurimi i sistemit demokratik, i cili ka dështuar të ngrihet siç duhet në këto 35 vite për shkak të sabotimit të Kushtetutës së vitit 1998, duke e kthyer kryeministrin në një “mbret” që mund të rrëzohet vetëm nga sheshi.
Kulluri u shpreh se kjo lëvizje qytetare ka sjellë tashmë një ndryshim të madh në skenën politike, duke nxjerrë jashtë loje opozitën tradicionale, ndërsa hapi i radhës mbetet largimi i mazhorancës.
“Arritja e parë e protestës ishte që çoi PD në shtëpi. PD sot nuk është më faktor politik. Qëllimi i dytë duhet të jetë largimi i kësaj qeverie dhe shpërbërja e kësaj mazhorance. Kjo do ndodhë sepse është e pashmangshme! Kam qenë 15 vjeç gjimnazist në protestën e dhjetorit 1991. Nuk ka bërë vaki 19 ditë protesta, ka zgjatur 4-5 ditë deri sa u krijua PD dhe ndodhën zgjedhjet. Kushdo që ta përçajë, të ulë numrat, u marrin të keqen numrave se ka njerëz plot aty”, deklaroi Kulluri.
Analisti nuk kurseu as kritikat ndaj disa mediave që përpiqen të minimizojnë pjesëmarrjen në shesh, ndërsa shtoi se pakënaqësia ndaj qeverisë ka prekur edhe vetë strukturat e shtetit, si policinë dhe administratën publike.
“Dalin ca media nxjerrin pamje të orës 6 pa çerek. Po makinat që ndalojnë i numërojnë ata, po njerëzit që duan të shkojnë atje po nuk shkojnë dot i numërojnë? Po administrata që i ka ardhur në majë të hundës? Policia është më e mërzitur me këtë qeveri se ne. Kë do mbrojë një polic sot? Vilat e këtyre?”, tha Kulluri.
