Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka prezantuar për herë të parë avionin e ri presidencial Boeing 747, i cili është dhuruar nga Katari dhe vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 400 milionë dollarësh.

Avioni i ri, i projektuar për të shërbyer si Air Force One, paraqitet me një dizajn të bardhë, të shoqëruar nga një vijë e kuqe horizontale dhe pjesa e poshtme në ngjyrë blu të errët. Në trupin e tij është vendosur mbishkrimi “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Trump vizitoi avionin të premten në një hangar në Bazën e Përbashkët Andrews, pranë Uashingtonit, objekt që prej dekadash shërben si aeroport presidencial. Duke folur para zyrtarëve dhe gazetarëve, presidenti amerikan e cilësoi avionin si një mjet unik dhe ndër më luksozët në botë.

“Nuk do të ketë kurrë një tjetër si ky. Është vërtet unik dhe konsiderohet si avioni më luksoz në botë”, deklaroi Trump. Ai shtoi se hangari ku u zhvillua prezantimi ishte ndërtuar posaçërisht për të akomoduar përmasat e mëdha të avionit të ri, i cili është dukshëm më i madh se modeli i mëparshëm i Air Force One. Në përfundim të vizitës, Trump firmosi me emrin e tij në brendësi të avionit, të cilin e përshkroi si një “Shtëpi të Bardhë fluturuese”, duke theksuar rëndësinë simbolike dhe funksionale të mjetit të ri presidencial.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: