Trajneri i Universidad de Chile dhe ish-futbollisti i njohur argjentinas Fernando Gago është shtruar me urgjencë në spital pasi pësoi një atak në zemër menjëherë pas konferencës për shtyp që pasoi fitoren e skuadrës së tij ndaj O’Higgins. Sipas raportimeve, 40-vjeçari filloi të ndjente shqetësime dhe dhimbje të forta në gjoks gjatë konferencës për mediat. Edhe pse tentoi të vazhdonte duke pirë ujë dhe duke qetësuar situatën, simptomat u përkeqësuan.

Menjëherë pas përfundimit të konferencës, stafi mjekësor i klubit dhe bashkëpunëtorët e tij ndërhynë duke e transportuar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ekzaminimeve kardiologjike. Mjekët vendosën kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila u realizua me sukses për trajtimin e problemit kardiak.

Në një deklaratë zyrtare, Universidad de Chile bëri të ditur se Fernando Gago ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipi mjekësor. Klubi njoftoi gjithashtu se trajneri nuk do të marrë pjesë në seancat stërvitore deri në përfundimin e testeve të nevojshme dhe procesit të rikuperimit.

“Drejtori ynë teknik po i nënshtrohet një sërë testesh kardiologjike dhe nuk do të marrë pjesë në stërvitjet e sotme. Gjendja e tij është e mirë dhe mbetet nën mbikëqyrje mjekësore”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb