Protestës masive që pritet të nisë në kryeqytet i janë bashkuar edhe shqiptarë nga Kosova. Pak para fillimit të tubimit të sotëm, një qytetar nga Kosova ka folur për News24, duke shpjeguar arsyet e pranisë së tij në këtë protestë dhe duke lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike në Shqipëri.

Ai u shpreh se gjendja e vështirë në të cilën ndodhet vendi e ka shtyrë të udhëtojë drejt Tiranës për të mbështetur protestuesit.

“Unë këtu jam për t’i thënë Ramës dy-tri fjalë. Këtu jam se Shqipërinë nuk e ka mirë. Këtu qëndroj dhe shpresoj e besoj deri në fund sa të largohen kriminelët nga qeveria që kanë 30 vite duke e zhvatur. Turp i qoftë Ramës dhe bandës së tij,” deklaroi ai.

Protestuesi theksoi se lidhja mes shqiptarëve të të dyja vendeve bën që dhimbja dhe shqetësimi për fatet e atdheut të jetë i përbashkët.

“Kur Shqipërinë nuk e kam mirë, as unë nuk jam mirë. Është normale që një shqiptar i Kosovës të vijë këtu, vij për të mbështetur vëllezërit dhe motrat e mia deri në fund. Mjaft kanë vjedhur pushtetarët,” tha qytetari.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai kërkoi drejtësi dhe ndëshkim pa dallim për krerët e politikës shqiptare që kanë qeverisur gjatë këtyre dekadave.

“Duhet ta kuptojnë se u ka ardhur fundi. Në burg Rama dhe në burg Berisha,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb