Në mesin e pjesëmarrësve në protestën masive në Tiranë ka edhe shumë pensionistë që udhëtojnë nga rrethet, pavarësisht kostove dhe vështirësive të moshës.
Një i moshuar nga rrethinat e Vlorës ka folur për mikrofonin e News24, duke bërë një autokritikë që nuk ka mundur të jetë i pranishëm çdo ditë, por duke ndarë një mesazh të fortë zhgënjimi ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin thotë se e ka votuar vetë.
Ai theksoi se kriza aktuale kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë për të dy liderët kryesorë politikë në vend.
“Do e nisja fjalën me një vërejtje ndaj vetes sime se nuk kam marrë pjesë çdo ditë se jam pensionist. Krijova mundësinë time që përmes pensionit tim të vij 3-4 herë këtu. Jam nga rrethinat e Vlorës dhe kam ardhur 4 herë këtu. Unë nuk jam as politikan e as orator dhe nuk njoh as Sali Berishën as Edi Ramën, por duke dëgjuar se vërejtjet më të mëdha për ta i bëjnë ata vetë, duhet të ndërhyjë edhe SPAK që të marrë dosjet e tyre dhe t’i japë zgjidhje këtij populli,” u shpreh ai.
Më tej, pensionisti vlonjat shpjegoi arsyen se përse vendosi t’i bashkohet revoltës qytetare, duke deklaruar se kryeministri ka shkelur besimin e marrë nga qytetarët përmes votës.
“Rama thotë se e kanë votuar 800 mijë shqiptarë; unë ja kam dhënë votën, por e kam prishur kontratën me të, se nuk na përgjigjet më neve si popull!” përfundoi protestuesi i moshuar.
