Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të rënda në procesin e vettingut ndaj ish- prokurorit të Krimeve të Rënda dhe ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani dhe iu rekomandon institucioneve shqiptare të rihapin procedurat e rivlerësimit kalimtar nëse subjekti do të paraqesë kërkesë.
Në vendimin përfundimtar Strasburgu konstatoi se shkarkimi i Osmanit, ishte kryer në shkelje të nenit nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private.
Ish-prokurori I Krimeve të Rënda, u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vitin 2019, pas ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e kishte konfirmuar në detyrë.
Në vendimin e shkarkimit, autoritetet shqiptare kishin konstatuar mungesë të burimeve të ligjshme financiare për disa vite (2011 dhe 2013), duke arritur në përfundimin se familja nuk kishte justifikuar plotësisht shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.
Por Strasburgu vlerësoi se shkarkimi ishte joproporcional, duke theksuar se problemi kryesor lidhej me mënyrën formale të deklarimit të kursimeve dhe jo me prova të mjaftueshme për pasuri të paligjshme apo fshehje të aseteve. Gjykata vuri në dukje gjithashtu se bashkëshortja e tij, e cila iu nënshtrua një vlerësimi të ngjashëm, u konfirmua në detyrë, çka ngriti pyetje mbi konsistencën dhe proporcionalitetin e vendimeve të autoriteteve shqiptare.
Në vendim theksohet se shkarkimi i prokurorit kishte pasoja të rënda në jetën e tij private dhe profesionale dhe nuk ishte i justifikuar në mënyrë të mjaftueshme në raport me qëllimet e procesit të vettingut. Si rezultat, gjykata vendosi se Shqipëria ka shkelur nenin 8 të Konventës dhe urdhëroi dëmshpërblim në vlerën 6,000 euro për dëme jopasurore dhe 5,000 euro për shpenzime ligjore.
Gjykata gjithashtu rekomandoi që, nëse kërkohet nga pala paditëse, autoritetet shqiptare të shqyrtojnë rihapjen e procedurave të vettingut në përputhje me standardet e Konventës Evropiane. Strasburgu ka vendosur po ashtu edhe në favor të Ferdinand Elezit, ish-prokurori i Apelit Durrës dhe Izet Kadanës, ish-kryetar Gjykatës Pukë për të cilët ashtu si në rastin e Osmanit, rekomandon rikthimin në detyrë të magjistratëve.
