Avokatët e Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut firmosën sot në Prizren një Memorandum Bashkëpunimi për t’u garantuar qytetarëve të tre shteteve të drejtat përtej kufijve shtetërorë.
Avokati i Popullit i Shqipërisë, z. Endrit Shabani, së bashku me homologët z. Naim Qelaj dhe z. Faton Selami, u zotuan ta kthejnë bashkëpunimin në përfitime të prekshme për qytetarët në secilin prej tre shteteve.
Në fjalën e tij, z. Shabani vuri theksin te distanca mes letrës dhe terrenit:
“Qeveritë tona janë mbledhur disa herë në Tiranë, Shkup apo Prishtinë dhe kanë miratuar shumë akte lehtësuese. Por ne jemi këtu për të kontrolluar së bashku nëse ato po zbatohen. A merr vërtet shërbim mjekësor në Prizren një qytetar që vjen nga Kukësi? A trajtohen siç duhet pushuesit nga Kosova në bregdetin shqiptar? Ky memorandum na jep mjetet për të mbrojtur çdo qytetar,”-tha Shabani.
Marrëveshja trepalëshe vendos në fokus çështje me interes ndërkufitar që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: trajtimi shëndetësor në të tre shtetet, njohja e ndërsjellë e dokumenteve dhe vendimeve civile e familjare (martesa, regjistrim civil, dokumentacion personal), njohja e diplomave dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve sezonalë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së fëmijëve në situatë rruge dhe kategorive të tjera të cenueshme, si dhe trajtimit institucional të rasteve individuale që përfshijnë më shumë se një shtet.
Tre Avokatët e Popullit ranë dakord të hartojnë e të prezantojnë çdo vit një Deklaratë të Përbashkët mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon. Bashkëpunimi zhvillohet në kuadër të Aleancës së Avokatëve të Popujve të Mesdheut (AOM), e cila drejtohet nga z. Endrit Shabani dhe ku aderojnë edhe Kosova e Maqedonia e Veriut.
