Dy persona ranë në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi gjatë kohës kur u konfliktuan me njëri-tjetrin qëlluan me armë zjarri për kanosje. Policia bën të ditur se Ndoc Lufi 63 vjeç dhe Aleksandër Fojleta 27 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin u konfliktuan për motive të dobëta, ndërsa një person tjetër u shpall në kërkim për moskallëzim krimi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, ku debati degradoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka konstatuar se si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit dhe një automjet i parkuar në oborr.
Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e 63-vjeçarit Ndoc Lufi shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit Aleksandër Fojleta gjetën municion luftarak dhe 4 kallëpe të dyshuar lëndë plasëse tritol.
Autoritetet bëjnë të ditur se vijon puna për kapjen e 26-vjeçarit, i cili dyshohet se ishte i pranishëm gjatë sherrit dhe nuk e kallëzoi rastin.
