Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishaj dhe 35 vite burg Julian Meçe, duke i shpallur ata fajtor për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku. Të njëjtën masë dënimi, kishte kërkuar ndaj tyre edhe Prokuroria e Posaçme. Përveç Dervishajt dhe Meçajt, në atentatin e 7 viteve më parë, janë përfshirë edhe Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri.

Këta të fundit po gjykohen veçmas. Atentati ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi).

I njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës ‘Benz’, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private në spital.

Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 24 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb