Një ngjarje e pazakontë ka tronditur kryeqytetin kinez, Pekinin. Një aeroplan i vogël sportiv është përplasur me “CITIC Tower” (China Zun), ndërtesën më të lartë në Pekin, duke shkaktuar kaos dhe ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të emergjencës.

Në pamjet dramatike të publikuara në rrjetet sociale, shihen qartë mbetjet e avionit që bien nga qiellgërvishtësi 109-katësh. Copëzat e shpërndara në tokë kanë shkaktuar dëme në disa automjete të parkuara poshtë.

Deri në këto momente, autoritetet kineze nuk kanë dhënë një bilanc zyrtar për viktima apo të lënduar, si dhe nuk bëhen ende të ditura shkaqet e sakta të këtij incidenti. Ndërkohë, e gjithë ndërtesa është evakuar në masë dhe qytetarët janë grumbulluar në rrugët përreth, të cilat janë rrethuar nga forca të shumta policie, zjarrfikëse dhe autoambulanca.

Nga të dhënat paraprake raportohet se mjeti i përfshirë është një aeroplan i lehtë i tipit Sunward SA 60L Aurora, që dyshohet se i përket një kompanie lokale të aviacionit të përgjithshëm. Burime jozyrtare sugjerojnë se avioni mund të ketë devijuar papritur nga trajektorja e tij e planifikuar e fluturimit.

Ngjarja ka marrë vëmendje maksimale dhe ka ngritur alarmin e sigurisë, pasi Pekini njihet ndërkombëtarisht si një nga qytetet me hapësirën ajrore më të kontrolluar dhe më të rreptë në botë, veçanërisht mbi zonat qendrore ku ndodhen objekte strategjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb