Bilanci i viktimave nga tërmeti i dyfishtë shkatërrues që goditi Venezuelën të mërkurën ka shkuar në 1,430 të vdekur, njoftoi sot presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez.
Duke folur në televizionin shtetëror, Rodriguez bëri të ditur se 3,238 persona janë plagosur, ndërsa rreth 3,100 të tjerë kanë mbetur pa strehë si pasojë e katastrofës natyrore. Bilanci i mëparshëm zyrtar fliste për 920 viktima. Sipas autoriteteve, pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 janë regjistruar 430 lëkundje pasuese, ndërsa mbi 70 mijë familje kanë marrë ndihmë emergjente. Tre ditë pas katastrofës, fati i dhjetëra mijëra personave mbetet ende i panjohur.
AP’s Juan Arraez was in Venezuela when a devastating double earthquake ravaged the country on Wednesday. Today, he captured footage of citizens digging through the rubble of their homes, saying they have seen few state rescue teams in the areas hit hardest by the devastating 7.2… pic.twitter.com/kmILBLbVUl
— The Associated Press (@AP) June 26, 2026
Qeveria venezueliane njoftoi se në vend kanë mbërritur mbi 1,600 anëtarë të ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve. Sipas zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, Oliver Blanco, 17 fluturime kanë transportuar ekipet e shpëtimit, ndërsa 25 fluturime të tjera pritet të mbërrijnë brenda 24 orëve të ardhshme.
“Falënderojmë bashkësinë ndërkombëtare për mbështetjen dhe solidaritetin e saj gjatë këtyre momenteve të vështira për qytetarët e Venezuelës”, shkroi Blanco në platformën X.
Në qytetin turistik La Guaira, një nga zonat më të goditura nga tërmeti, banorët dhe vullnetarët kanë denoncuar mungesën e pajisjeve të rënda dhe praninë e kufizuar të ekipeve zyrtare të shpëtimit. Sipas tyre, shumë familje kanë kërkuar të afërmit e tyre nën rrënoja vetëm me duar, për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme. Për të lehtësuar lëvizjen e ambulancave dhe ekipeve të emergjencës, autoritetet mbyllën rrugën kryesore që lidh La Guairën me Karakasin. Qytetarët që nuk janë pjesë e ekipeve zyrtare lejohen të kalojnë vetëm me autorizim të posaçëm
Edhe pse qeveria flet për qindra persona të zhdukur ose të bllokuar nën rrënoja, një faqe interneti e krijuar nga opozita ka regjistruar mbi 54 mijë emra personash të raportuar si të zhdukur nga familjarët. Ndërkohë, energjia elektrike ende nuk është rikthyer plotësisht në zonat pranë epiqendrës së tërmetit, përfshirë Moron dhe La Guairën. Presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez njoftoi se deri tani është rikthyer rreth 60% e furnizimit me energji elektrike në vend. Sipas vlerësimeve paraprake të Kombeve të Bashkuara, dëmet e drejtpërdrejta të shkaktuara nga tërmetet mund të arrijnë në rreth 6.7 miliardë dollarë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje.
