Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Kryeministrit Edi Rama ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestat e javëve të fundit. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku e akuzon Kryeministrin se po përdor të dhënat dhe strukturat shtetërore për të hetuar biografitë e protestuesve, për t’i kërcënuar dhe për t’i ekspozuar publikisht.
Sipas saj, faqja e kryeministrit është kthyer në një “tabelë dazibao”, ku qytetarët që kundërshtojnë qeverinë vendosen në shënjestër dhe përballen me një fushatë linçimi publik.
Tabaku e cilëson këtë sjellje jo si një reagim personal të Kryeministrit, por si metodë të një shteti të kapur, ku informacionet e administruara nga institucionet përdoren si armë politike kundër qytetarëve.
“Institucionet mbledhin të dhënat e qytetarëve, ndërsa pushteti i përdor ato për të mbrojtur njeriun-sistem. Të dhënat nga gjendja civile, administrata dhe institucionet kthehen në armë politike”, shkruan deputetja demokrate.
Tabaku sjell në vëmendje kontrastin mes interesimit të Kryeministrit për jetën dhe biografitë e protestuesve dhe heshtjes së tij përballë skandaleve të korrupsionit që kanë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Sipas saj, Rama ka pretenduar vazhdimisht se nuk kishte dijeni kur ish-zëvendëskryeministra, ministra apo drejtues të pushtetit vendor janë shpallur në kërkim ose janë arrestuar, ndërsa sot tregon se mund të sigurojë të dhëna të hollësishme për çdo qytetar që proteston kundër tij.
“Për çdo skandal ruante maskën. Sistemi duhej të fshihej, ndërsa individi i radhës shpallej kurban. Sot, kur rrezikohet vetë koka e sistemit, maska ka rënë”, thekson Tabaku.
Deputetja e PD-së e lidh këtë sjellje me atë që e cilëson si rikthim të metodave të vjetra të përndjekjes politike, duke iu referuar përdorimit të biografive, turpërimit publik dhe kërcënimeve ndaj familjarëve të protestuesve.
Në reagimin e saj, Tabaku ndalet edhe te hetimet për zyrtarë dhe persona të lidhur me pushtetin në sektorin e pronave dhe të ndërtimit. Ajo akuzon qeverinë se ka miratuar vendime dhe ndryshime ligjore në favor të interesave të caktuara, ndërsa ndërtimi është kthyer në një kanal të pastrimit të parave që ka deformuar ekonominë dhe ka zhvlerësuar punën e ndershme.
Por, sipas Tabakut, Kryeministri nuk kërkon dhe nuk publikon biografitë e personave të përfshirë në këto skandale.
“Gjuetia e shtrigave është rezervuar për protestuesit: për qytetarët e guximshëm të këtyre javëve të nxehta, që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një shtet që punon për shumicën”, shkruan ajo.
Tabaku i cilëson protestuesit “heronjtë qytetarë të Shqipërisë” dhe shprehet se fletërrufetë digjitale dhe linçimi publik nuk do ta shpëtojnë sistemin e ngritur nga qeveria.
“Ato vetëm tregojnë frikën e njeriut që e ndërtoi dhe që sot e kupton se shqiptarët nuk kanë më frikë prej tij”, përfundon deputetja e Partisë Demokratike.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Njolla të Murrme!
Prej ditësh, njeriu kyç i një sistemi autokratik, të lidhur me paranë e pistë dhe ekonominë e kapur, ka nisur një fushatë përndjekjeje ndaj qytetarëve që protestojnë përballë tij.
Duke ndjekur pikë për pikë metodat e Sigurimit, Kryeministri mbledh biografitë e atyre që nuk i pëlqejnë dhe, me një lupë të stërmadhe, kërkon t’u gjejë njolla në jetë dhe në CV.
Kjo nuk është thjesht sjellje e turpshme personale. Është metoda e një shteti të kapur: institucionet mbledhin të dhënat e qytetarëve, ndërsa pushteti i përdor ato për të mbrojtur njeriun-sistem. Të dhënat nga gjendja civile, administrata dhe institucionet kthehen në armë politike. Më pas vijnë kërcënimet ndaj të afërmve dhe ekspozimi publik i qytetarit si tabelë qitjeje në faqen e Kryeministrit.
Ky është i njëjti njeri-sistem që bën sikur nuk di asgjë për korrupsionin në vend. Kur një ish-zëvendëskryeministër u shpall në kërkim, ai nuk dinte gjë. Kur u arrestua një ish-ministër, nuk dinte gjë. Kur u arrestua një kryetar bashkie, përsëri nuk dinte gjë.
Për çdo skandal, ruante maskën. Sistemi duhej të fshihej, ndërsa individi i radhës shpallej kurban.
Sot, kur rrezikohet vetë koka e sistemit, maska ka rënë. Kryeministri po rikthen skenarët e Njollave të Murrme: biografi, përndjekje, turpërim publik dhe kërcënim ndaj kujtdo që guxon të ngrejë zërin.
Ndërkohë, SPAK po heton pushtetarë të përfshirë në tregtinë e pronave. Qeveria ka miratuar vendime për prona në favor të personave të inkriminuar, ka ndryshuar ligje për interesa të caktuara dhe e ka kthyer ndërtimin në një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave, duke helmuar ekonominë dhe zhvlerësuar punën e ndershme.
Por Kryeministri nuk kërkon biografitë e tyre. Nuk publikon dosjet e tyre. Nuk i kthen ata në shënjestër.
Gjuetia e shtrigave është rezervuar për protestuesit: për qytetarët e guximshëm të këtyre javëve të nxehta, që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një shtet që punon për shumicën.
Ata nuk janë armiqtë e Shqipërisë. Ata janë heronjtë e saj qytetarë.
Fletërrufetë digjitale, dacibaot moderne dhe linçimi publik nuk do ta shpëtojnë sistemin. Ato vetëm tregojnë frikën e njeriut që e ndërtoi dhe që sot e kupton se shqiptarët nuk kanë më frikë prej tij.
