Gjykata e Posaçme e Apelit liroi nga paraburgimi dhe dërgoi në arrest shtëpie Mariglen Qaton, ish-drejtorin e IMT-së në Bashkinë e Tiranës, që po gjykohet për aferën 5D. Zbutja e masës për Qaton vjen pas lirimit të dy ish-drejtorëve të tjerë të Bashkisë, Redi Molla në arrest shtëpie dhe Taulant Tusha në detyrim për paraqitje.
Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie dhe SPAK ka kërkuar dënimin e tyre përkatësisht me 11 dhe 9 vite burgim, si dhe dënim plotësues për të mos ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Për Taulant Tushën, është kërkuar dënimi me 4 vjet burg për shkelje të barazisë në tendera në tre raste, për Enton Punavijan dhe Julian Zanaj 3 vjet burg, ndërsa për Albano Jankun 2 vjet burg.
SPAK kërkoi 7 vite burg për biznesmenin Nestor Muhametllari. Nga hetimet, SPAK thotë se rezultoi e provuar se Redi Molla e Mariglen Qato janë pronarët faktikë të kompanisë 5D Konstruksion, që fitonte miliona euro tendera në Bashkinë e Tiranës.
