Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi masën e sekuestros mbi një vilë luksoze në kompleksin White Rocks në Dhërmi, e cila, nga hetimet sipas SPAK, ka rezultuar se është pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Vendimin e sekuestros e kundërshtoi Igli Tare, ish-futbollist i Kombëtares, pasi pretendon se është pronë e tij, por Apeli, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, pasi shqyrtoi ankimin, vendosi të lërë në fuqi masën e sekuestros.

SPAK thotë se, nga hetimet, vila është marrë si ryshfet nga kompania Eurocol, kur Belinda Balluku drejtonte Albcontrol dhe favorizoi në një tender kompaninë në fjalë. Ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është e pandehur për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime me disa tendera të tjerë rrugësh.

VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 30.06.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 24 akti, datë 18.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.T: “Ankim kundër vendimit Nr. 412, datë 03.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë e paluajtshme” dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 412, datë 03.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, më datë 30.06.2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb