Antidroga e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë kundër trafikut të lëndëve narkotike, duke goditur tre grupe kriminale që vepronin në afërsi të disa gjimnazeve në kryeqytet.
Sipas burimeve, operacioni u zhvillua pranë gjimnazeve “Partizani” dhe “Çajupi”, ndërsa hetimet kishin nisur prej të paktën tre muajsh.
Për dokumentimin e aktivitetit kriminal, efektivët e Antidrogës kanë përdorur edhe metodën e blerjeve të stimuluara, duke siguruar prova ndaj personave të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve janë Artur Meta dhe Rubin Meta, babë e bir, të cilët dyshohet se drejtonin një prej grupeve kriminale.
Sipas hetimeve, grupet nuk vepronin vetëm pranë shkollave, por kishin edhe rolin e furnizuesve të lëndëve narkotike. Po ashtu, Artur dhe Rubin Meta dyshohet se përdornin si bazë një lokal në pronësi të tyre, pranë zonës së Medresesë në Tiranë. Policia pritet të japë detaje të plota mbi operacionin dhe numrin e personave të arrestuar.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Segmenti”.
Goditet një grup i strukturuar kriminal që shiste lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 14 shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 1 shtetase, pjesëtarë të këtij grupi. Shpallen në kërkim 5 shtetas, të dyshuar si pjesëtarë të grupit.
Gjatë operacionit u vu në pranga edhe 1 shtetas që u kap në flagrancë me armë zjarri pistoletë, si dhe u zbuluan ambiente të përshtatura për organizimin e lojërave të fatit.
Sekuestrohen 220 gramë Kokainë, qindra doza Cannabis Sativa të gatshme për shitje, 1 armë zjarri pistoletë, 2 tavolina pokeri, fisha, çipsa për lojëra fati dhe 2 300 000 lekë të rinj.
Në vijim të hetimeve të kryera me metoda speciale, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni i koduar “Segmenti”.
Në kuadër të operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata, për shtetasit G. Gj., 41 vjeç; A. H., 39 vjeç; K. M., 25 vjeç; K. K., 22 vjeç; P. K., 35 vjeç; A. M., 51 vjeç; A. C., 33 vjeç; R. Q., 31 vjeç; R. M., 32 vjeç; E. Sh., 43 vjeç; S. Z., 32 vjeç; A. H., 27 vjeç; A. C., 22 vjeç dhe G. M., 28 vjeç, si dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen F. Gj., 38 vjeçe.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: M. Gj., 34 vjeç; O. N., 30 vjeç; E. A., 24 vjeç; E. S., 19 vjeç dhe K. S., 41 vjeç. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit u sekuestruan 220 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, pjesërisht e ndarë në doza, qindra doza të dyshuara Cannabis Sativa, gati për shitje, 2 tavolina pokeri, fisha dhe çipsa që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të palejuara, dhe 2 300 000 lekë të rinj të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 22 vjeç, të cilit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion.
Nga hetimet e deritanishme është dokumentuar me prova ligjore se pjesëtarët e këtij grupi kriminal, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin lëndë narkotike në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë, në kuadër të të cilit, në periudha të mëparshme, janë finalizuar edhe disa operacione të tjera policore, me rezultat arrestimin e 7 shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
