Një ngjarje tragjike është shënuar pasditen e kësaj të premteje në bregdetin e Vlorës. Një 29-vjeçare, e identifikuar si Afërdita Xhilajka, ka humbur jetën pasi dyshohet se u mbyt në det, në zonën e plazhit të Porto Novos.
Sipas informacioneve paraprake, e reja është përballur me rrymat e forta detare që karakterizojnë këtë zonë, e cila prej vitesh konsiderohet si një nga pikat më të rrezikshme të bregdetit.
Pas nxjerrjes nga uji, trupi i pajetë është transportuar me gomone drejt Triportit dhe më pas është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës.
Ndërkohë, Policia e Vlorës ka nisur marrjen në pyetje të banorëve dhe pushuesve që ndodheshin në zonë, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
