Në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, Administrata Doganore, përmes Doganës Rinas, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, goditi një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas.

Gjatë kontrollit me skaner të bagazheve të pasagjerëve të një fluturimi me itinerar Toronto – Rinas, u identifikuan dy valixhe që ngjallën dyshime për përmbajtje të kundërligjshme. Pas kontrollit fizik të kryer në prani të poseduesve të bagazheve, u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar të llojit Cannabis sativa, të ndara në 89 paketime.

Personat e përfshirë, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, iu dorëzuan strukturave të Policisë së Shtetit për vijimin e veprimeve procedurale dhe hetimore.

Administrata Doganore mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve kufitare dhe bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të çdo veprimtarie tjetër të paligjshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb