Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke sekuestruar rreth 46 kilogramë cannabis sativa që dyshohet se po transportohej nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Operacioni policor i koduar “Suitcases”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, çoi në arrestimin e një 34-vjeçari dhe procedimin penal të dy grave.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit u zbuluan dy valixhe, në të cilat ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike cannabis sativa në formën e xhelatinës. Sasia e sekuestruar peshon rreth 46 kilogramë dhe vlerësohet të ketë një vlerë tregu prej rreth 250 mijë eurosh.
Në pranga ra shtetasi Kristian Gjoni, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, operacioni policor i koduar “Suitcases”.

Goditet një rast tentativë për trafikimin e rreth 46 kg lëndë narkotike cannabis sativa nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 shtetase.

Sekuestrohen 89 paketime me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 46 kg, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.

Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb