Një aksident i rëndë, që fatmirësisht përfundoi pa pasoja për jetën, u regjistrua rreth orës 01:00 të mëngjesit në qytetin e Korçës. Një automjet humbi kontrollin duke u përplasur fuqishëm fillimisht me një pemë dhe më pas u përmbys në mes të rrugës.
Pavarësisht përmbysjes dramatike të mjetit, i riu që po drejtonte makinën arriti të dilte prej saj pa pësuar dëmtime fizike. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshimet e para për shkakun e aksidentit bien mbi konsumimin e alkoolit nga ana e shoferit.
Policia ka nisur menjëherë procedurat hetimore dhe po kryen ekspertizën auto-teknike, si dhe analizat përkatëse, për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e sakta të kësaj ngjarje.
