Një nga aktivistët e liruar pas arrestimit gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit doli sot para protestuesve, ku ngriti akuza për dhunë nga policia gjatë shoqërimit të tij.

Ai e cilësoi arrestimin e 19 protestuesve si “përndjekje politike” dhe tha se lëvizja e tyre nuk lidhet me përplasjet mes partive politike, por me kërkesën për ndryshim.

“Protesta jonë nuk është për luftë politike brenda PS dhe PD, por për betejën që bën gjenerata Z për të ardhmen kundër kupolës politike të së shkuarës,” deklaroi ai.

Aktivisti pretendoi se është dhunuar gjatë transportimit nga Kuvendi drejt komisariatit.

“Jam dhunuar gjatë udhëtimit nga Kuvendi në komisariat, brenda makinës së policisë. Një person me duar të prangosura që goditet 30 herë me grushte nga një civil, në prani të policisë, është torturë,” u shpreh ai.

Ai shtoi se, pavarësisht ngjarjes, ndihet më i vendosur për të vijuar angazhimin në protesta.

“Tani ndihem më i fortë. Dhuna policore i përket kohës së komunizmit,” tha aktivisti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb