Ka nisur këtë mëngjes në Teheran procesioni mortor për trupin e Liderit Suprem të ndjerë të Iranit, Ali Khamenei, mes pjesëmarrjes së mijëra qytetarëve që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën.
Sipas mediave shtetërore iraniane, procesioni u nis nga Xhamia e Madhe Mossala me destinacion qytetin e shenjtë të Qom. Rrjeti shtetëror IRIB bëri të ditur se në ceremoni mori pjesë një “turmë e madhe” njerëzish.
📹 هماکنون؛ ورود خودروی حامل پیکر مطهر رهبر شهید انقلاب و شهدای خانواده ایشان به مسیر تشییع تهران در میان خیل جمعیت مردم عزادار#انتقام_خون_رهبر_شهید pic.twitter.com/3ieSF7eHi1
— خبرگزاری تسنیم (@Tasnimnews_Fa) July 6, 2026
Ndërkohë, agjencia iraniane Tasnim raportoi se automjeti që transportonte arkivolin e Ali Khameneit dhe të disa anëtarëve të familjes së tij hyri në itinerarin e procesionit, i shoqëruar nga mijëra vajtues.
Turmat nisën të grumbulloheshin që në orët e para të mëngjesit në Sheshin e Revolucionit në Teheran, ndërsa autoritetet parashikojnë që procesioni të zgjasë nga 10 deri në 12 orë. Itinerari prej rreth 10 kilometrash përshkon disa nga rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit, përpara se kortezhi të mbërrijë pranë Aeroportit Mehrabad.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, pas mbërritjes në Qom, trupi i Khameneit do të transportohet në qytetet e shenjta shiite të Najaf dhe Karbala. Më pas, arkivoli do të rikthehet në Iran, në qytetin e Mashhad, ku ceremonia e varrimit është planifikuar të zhvillohet më 9 korrik.
