Po shtohen analizat dhe raportimet në mediat ndërkombëtare se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të testojë reagimin e NATO përmes një veprimi ushtarak ndaj krahut lindor të aleancës.
Sipas një raporti të publikuar nga gazeta britanike The Guardian, autoritetet suedeze kanë intensifikuar përgatitjet mbrojtëse në ishullin Gotland, i cili ndodhet rreth 275 kilometra nga Kaliningrad, ku Rusia mban një pjesë të arsenalit të saj bërthamor.
Raporti thekson se Gotlandi ka një rëndësi të madhe strategjike për kontrollin e Detit Baltik. Në rast se Rusia do të synonte të zgjeronte praninë e saj ushtarake në rajon, ishulli do të ishte një objektiv me vlerë të lartë si nga pikëpamja ushtarake, ashtu edhe simbolike.
Në planet mbrojtëse të Suedisë për periudhën 2025–2030, një sulm i papritur ndaj Gotlandit – nga ajri ose deti – renditet ndër shtatë skenarët kryesorë për të cilët forcat e armatosura duhet të jenë të përgatitura.
Komandanti i ushtrisë suedeze në Gotland, koloneli Andreas Gustafsson, deklaroi se kontrolli i ishullit është vendimtar për operacionet detare dhe ajrore në rajonin e Baltikut.
“Nëse mund ta kontrollosh Gotlandin, mund të kontrollosh edhe Detin Baltik. Kjo është arsyeja pse duhet ta mbajmë ishullin nën kontroll, jo vetëm për Suedinë, por edhe për NATO-n”, u shpreh ai.
Ndërtimi i kapaciteteve ushtarake në ishull është përshpejtuar pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Që prej anëtarësimit të Suedisë në NATO, Gotlandi ka pritur rregullisht stërvitje ushtarake të aleancës.
