Të paktën 14 persona kanë humbur jetën pas një vale të re sulmesh ruse me raketa dhe dronë ndaj Kievit dhe rajonit përreth. Sipas autoriteteve ukrainase, 11 viktima u regjistruan në kryeqytet, ndërsa tre të tjera në rajonin e Kievit.
Administratori ushtarak i Kievit, Timur Tkachenko, bëri të ditur se rreth 46 persona janë plagosur, mes tyre pesë fëmijë. Ai tha se ekipet e shpëtimit po punojnë në më shumë se 20 zona të goditura, ndërsa disa ndërtesa të larta banimi janë dëmtuar rëndë.
Sulmet ndodhën vetëm pak ditë pas bombardimeve të mëparshme ruse ndaj kryeqytetit ukrainas dhe në prag të samitit të NATO-s, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë takime me aleatët, përfshirë presidentin amerikan.
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, raketat balistike goditën disa zona të qytetit, duke shkaktuar zjarre në komplekse banimi, dëmtime në depo dhe punishte. Tre blloqe të mëdha apartamentesh u shembën pjesërisht, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja.
Pamjet nga kryeqyteti tregojnë shkatërrime të mëdha, ndërsa helikopterët janë angazhuar për shuarjen e zjarreve duke transportuar ujë nga lumi.
Pak orë para sulmeve, Zelensky kishte paralajmëruar se inteligjenca ukrainase kishte sinjalizuar një valë të dytë sulmesh masive ruse ndaj Kievit. Pas bombardimeve të mëparshme, Ukraina akuzoi Rusinë për goditje të qëllimshme ndaj zonave civile, ndërsa Moska deklaroi se kishte në shënjestër objekte ushtarake dhe energjetike.
Ndërkohë, sulmet ukrainase ndaj objektivave në Krime vazhduan edhe gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në Sevastopol.
Në prag të takimit të NATO-s, Zelensky u bëri thirrje aleatëve të përshpejtojnë furnizimet me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Ai kërkoi gjithashtu nga SHBA licenca për prodhimin në Ukrainë të raketave për sistemet Patriot, duke paralajmëruar se çdo vonesë në ndihmën ushtarake sjell më shumë humbje jetësh dhe inkurajon vazhdimin e agresionit rus.
