Eksperti i IT-së dhe aktivisti Gent Progni ka depozituar një kallëzim penal në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, pas një incidenti të rëndë ku është dhunuar në 2 korrik. Në një prononcim për mediat, Progni ka zbardhur prapaskenat e ngjarjes së ndodhur më 2 korrik, duke akuzuar drejtpërdrejt truprojën e deputetit të PS, Ulsi Manja, si dhe duke denoncuar sjelljen e strukturave të Policisë së Shtetit.

Sipas Prognit, ngjarja ka nisur pranë një lokali afër Parlamentit, ku pas një debati dhe ofendimeve që pretendon se kanë ardhur nga Manja, aktivistët janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me vezë. Në atë moment, ndërhyrja e policisë dhe e personave të tretë ka degjeneruar në dhunë fizike.

“Më gjuajti mbi 100 herë me grushta”, Progni akuzon truprojën e Manjës

Progni ka deklaruar se personi që ka ushtruar dhunë të egër ndaj tij është shtetasi Saimir Koka, i cili sipas tij është truprojë i Ulsi Manjës.

“Më ka gjuajtur mbi 100 herë me grushta. Jam vendosur në pozicion mbrojtjeje me duart në kokë dhe më ka goditur edhe pse isha i shtrirë,” është shprehur Progni, duke shtuar se ka kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë për të vërtetuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Aktivisti ka lëshuar akuza të rënda edhe ndaj efektivëve të policisë. Ai sqaroi se fillimisht i është drejtuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të bërë kallëzim ndaj drejtuesve të Komisariatit Nr. 4, pasi sipas tij, shefi i këtij komisariati ka qenë prezent gjatë dhunimit dhe nuk ka ndërhyrë.

Më tej, Progni ka treguar vështirësitë që ka hasur edhe në Komisariatin Nr. 1 gjatë ditës së sotme për të regjistruar kallëzimin:

“OPGJ ishte Bledar Rushiti i cili nuk më la me avokatin tim të bëja kallëzimin. Nuk e di arsyen se pse. Që në fillim të kallëzimit u munduan të më intimidojnë duke më thënë që është vetëm një ankimim dhe jo kallëzim penal”, tha ai.

Progni pretendon se në Komisariatin Nr. 4 nuk i është lejuar asnjë procedurë ligjore për inspektimin mjeko-ligjor të dëmtimeve të tij.

Një tjetër detaj i rëndësishëm i zbardhur nga Progni është dhunimi i një personi tjetër, i cili dispononte një kamerë që ka regjistruar të gjithë skenën.

“Aktualisht është brenda Besnart Kajimi, i cili ka pasur një kamerë 360 gradë, të cilën e kanë rrahur derisa e ka dorëzuar pranë këtyre njerëzve atje në lokal. Shpresojmë që ta gjejmë sepse ajo vërteton të gjitha pamjet dhe të gjithë të vërtetën,” përfundoi Progni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb