Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportimeve për ndalimin në pikën e kalimit kufitar të disa deputetëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar ngjarjen të papranueshme.

Në një deklaratë publike, Bardhi dënoi sjelljen e Policia e Shtetit ndaj shefit të Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, si edhe ndaj zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Askush nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur dhe respektuar shqiptarët kudo që jetojnë”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se incidente të tilla cenojnë frymën e bashkëpunimit dhe respektit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Bardhi i kërkoi Policisë së Shtetit të japë një sqarim publik dhe transparent për ngjarjen, duke theksuar se çdo veprim i kryer në kundërshtim me ligjin duhet të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.

“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një detyrim kombëtar e moral”, u shpreh ai.

Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se akte të tilla dëmtojnë imazhin e shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke kërkuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb