Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, ku u ndal te masat e reja të miratuara nga Qeveria Shqiptare në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Ministrja theksoi se dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohja e periudhave kontributive për ndihmësit personalë janë angazhime të parashikuara në programin qeverisës “Shqipëria 2030”, në kuadër të politikave për forcimin e mirëqenies sociale dhe mbështetjes së familjeve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Me Aktin Normativ janë siguruar fondet për zbatimin e këtyre masave. Nga 1 korriku 2026 dyfishohet pagesa mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa do të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14 mijë ndihmës personalë, të cilët kujdesen për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara.

Gjatë takimit, Ministrja vlerësoi edhe modelin e Qendrës së Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, si një shembull të shërbimeve sociale të ofruara pranë komunitetit, që ndihmojnë përfshirjen, rehabilitimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.

“Objektivi ynë është që çdo person me aftësi të kufizuara dhe çdo familje të ndiejë mbështetje konkrete nga shteti, përmes politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe mundësi të barabarta,” u shpreh Ministrja Sala.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb