TIRANË – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, që do të zhvillohet më 11 korrik 2026 në zonën e Kasharit, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona e “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në zonë.

Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës Durrës–Tiranë në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.

Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në orën 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në segmentin “Rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.

Policia bën me dije se edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit të sigurt të aktivitetit.

Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm automjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.

Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim, të planifikojnë lëvizjet e tyre paraprakisht, të përdorin akse alternative dhe të zbatojnë udhëzimet e efektivëve të Policisë të angazhuar në terren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: