Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin e dënimit për pesë anëtarë të një grupi kriminal, proces ky që u zhvillua si fraksion i dosjes së madhe hetimore të koduar “Revanshi”.

Të pandehurit përfituan nga dënimi me gjykim të shkurtuar, çka solli uljen e masës së dënimit me një të tretën për secilin prej tyre. Sipas vendimit të GJKKO-së, Adrian Pikli (ish-efektiv i forcave speciale RENEA) dhe Devis Bajramaj u dënuan fillimisht me nga 10 vite burgim, dënim i cili u reduktua në 6.8 vite burg për secilin.

Nga ana tjetër, Elvis Ndreca (djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca) dhe Edison Muçeku u dënuan me nga 8 vite burg, masë që u ul në 5.4 vite burg. Ndërsa shtetasi Armando Ndreca mori dënimin më të rëndë nga ky grup, me 11 vite burg, i cili përfundimisht u reduktua në 7.4 vite burg.

Anëtarët e këtij grupi kriminal u shpallën fajtorë për një sërë veprash të rënda penale, duke nisur që nga sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, kultivimi i bimëve narkotike, si dhe armëmbajtja pa leje.

Dosja e SPAK dhe akuzat specifike për secilin episod:

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të grumbulluara nga Prokuroria e Posaçme, u dokumentuan veprimtaritë kriminale të shtrirë përgjatë viteve 2020–2021:

Atentati në Tapizë: Më datë 4 nëntor 2020, te Ura e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja në bashkëpunim me persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.

Planifikimi i vrasjeve: Përgjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjetet e nevojshme me qëllim vrasjen e shtetasit Hamza Terziu. Ndërkaq, gjatë muajve korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca siguroi mjetet për eliminimin e shtetasit Durim Bami.

Trafiku i drogës: Në tetor të vitit 2020, Armando Ndreca organizoi dhe financoi një grup kriminal që arriti të prodhonte dhe të shiste një sasi prej 243 kilogramësh kanabis sativë në rajonin e Lezhës.

Trafiku i armëve: Gjatë viteve 2020–2021, Deivis Bajramaj dhe ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli, u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve luftarake, duke ua shitur ato edhe personave me precedentë të theksuar penalë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb