Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”, në kuadër të një bashkëpunimi mes strukturave shqiptare të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe partnerët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Shkup.
Si rezultat i operacionit, në Durrës u arrestuan dy shtetas të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Në pranga ranë shtetasit M. Xh., 26 vjeç, lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, lindur në Norvegji. Për ta, INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për akuzat e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe veprave penale të kryera në kuadër të një organizate kriminale. Gjatë kontrollit, policia u gjeti dy të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për t’u larguar nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë.
Në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi nga Maqedonia e Veriut Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar se u kishte siguruar personave të kërkuar dokumentet false. Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa autoritetet shqiptare kanë vlerësuar bashkëpunimin me partnerët amerikanë dhe homologët maqedonas si një element kyç në realizimin e operacionit.
