Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë një punonjës të Policisë së Shtetit në Dibër, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit” të detyrës.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se, në kuadër të hetimeve të kryera u arrestua Megin Ademi pasi lejoi arratisjen e Amir Muharremit, i cili ishte i dënuar me “arrest në shtëpi” dhe pritej të ekstradohej drejt Gjermanisë.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në prezencën e prokurorit të gatshëm, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Megin Gani Ademi, 32 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Agjensia e Mbikqyrjes Policore mbetet e angazhuar për të hetuar çdo paligjahmëri të kryer në rradhët e Policisë së Shtetit.
