Tre persona të shpallur në kërkim janë arrestuar gjatë kontrolleve të zhvilluara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë dhe në Portin e Sarandës.
Në Qafë Botë u ndalua 20-vjeçari J. L., banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se më 12 mars, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri tip “Kallashnikov” në ajër në lagjen nr. 1 të Sarandës, duke prishur qetësinë publike.
Po në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë u arrestua edhe 27-vjeçari A. L., banues në Divjakë, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë nr. 3 në Tiranë për veprën penale “Kanosja”.
Ndërkohë, në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Sarandës u ndalua 43-vjeçari Luiz Danddan, banues në Angli. Ai ishte shpallur në kërkim kombëtar nga Policia e Sarandës për veprën penale “Mashtrimi”.
Tre të ndaluarit janë shoqëruar për kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore dhe do t’u dorëzohen strukturave përgjegjëse për vijimin e veprimeve procedurale.
