Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me të rinjtë në Jalë, iu përgjigj pyetjeve të të rinjve për protestën. Gjatë deklaratës së tij, Rama përmbysi atë që kishte deklaruar më herët ku akuzoi Iranin, Rusinë dhe algoritmin për nisjen e protestës dhe tha se shkak ishin problemet e njerëzve.

 

Rama tha se detyra e tij është t’i lexojë mesazhet siç duhet, pasi gjithçka lidhet me përditshmërinë e njerëzve.

Sërish Rama akuzoi personat më aktivë të protestës si dhe faqet e ndryshme në rrjetet sociale se po i hedhin benzinë zjarrit dhe se përmes algoritmin po amplifikojnë negativitet. Rama hodhi poshtë edhe akuzat për shitjen e Zvërnecit dhe Sazanit dhe mohoi të ketë një marrëveshje.

“Fakti është që jetojmë në një kohë kur niveli i vëmendjes ndaj asaj që shohim dhe diskutojmë ka rënë.

Vëmendja është e rëndësishme, sepse lidhet me praninë e konsiderueshme të jetës virtuale në jetën tonë, ku të gjithë kalojmë një pjesë të madhe të kohës. Dhe njerëzit janë viktima e parë e çdo komunikimi.
Algoritmi ka një rol të madh në përcaktimin e koloritit të jetës, për aq kohë sa jemi të lidhur me të. Kjo nuk do të thotë se algoritmi përcakton arsyen pse bëjmë një veprim apo një tjetër. Ai është një amplifikator i zemërimit, pakënaqësisë dhe i gjithçkaje që ka prirjen të shkojë për keq, drejt skandalit. Kjo është natyrë njerëzore, nuk është çështje vetëm e jona.

Ka studime që janë bërë për algoritmet dhe mënyrën se si gënjeshtrat, akuzat, skandalet dhe gjithçka që amplifikon energjinë negative kanë një shtrirje më të gjerë sesa lajmet që nuk përmbajnë bujë, edhe kur këto të fundit përfaqësojnë të vërtetën.

Nuk kam thënë që algoritmi është arsyeja e protestës. Arsyet lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe janë çështje thelbësore për t’u lexuar dhe kuptuar siç duhet. Por algoritmi amplifikon zhurmën dhe negativitetin, të gjitha ato nxitje që vijnë në formën e videove të manipuluara, lajmeve të rreme, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që është ndezur nga njerëzit.

Nga ana tjetër, është e padiskutueshme që çdo protestë mbart brenda vetes më shumë se një mesazh. Cilado qoftë arsyeja e protestës, ajo mbart mesazhe dhe detyra ime është të kuptoj sa më mirë, të analizoj organizatorët, të shoh çfarë ka përtej asaj që duket dhe të krijoj një pamje sa më të qartë të spektrit dhe forcave të përfshira.

Ashtu siç algoritmi nuk është organizatori, edhe forcat e përfshira armiqësore dhe dashakeqe që mund të jenë përfshirë fuqimisht nuk janë arsyeja pse njerëzit kanë dalë në protestë. Por është e rëndësishme të kuptojmë se ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, si adresohen kërkesat dhe cilat janë zgjidhjet. Duhet kuptuar edhe se ku mbaron sinqeriteti dhe ku fillon manipulimi, kur një kauzë mund të kthehet në një mjet për interesa të tjera.

Ndarja bëhet në pikën ku kërkohet ose jo një rrugë reale për zgjidhjen e problemeve. Është shumë e rëndësishme të ndahet pjesa e shkaqeve dhe problematikave që kërkojnë adresim nga pjesa që kërkon informim të saktë. Siç e keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot kjo çështje është zbehur, sepse u kuptua se realiteti i fakteve ishte ndryshe nga perceptimi i krijuar përmes kanaleve të dezinformimit.

Nuk është e vërtetë që qeveria shiti atdheun, Sazanin apo Zvërnecin. Realiteti është krejt i kundërt.
Aty ku qeveria ka përgjegjësi si zotëruese dhe administratore, nuk ka pasur shitje. Por, për shkak se jemi në një proces negociatash dhe shteti duhet të jetë pjesë e këtij procesi, ende nuk kemi një marrëveshje”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb