Kryetarja e komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa, publikoi një video që paraqet se si pritet të transformohet Zona e Mbrojtur e Zvërnecit sipas projektimeve të publikuara në librin “Albanian Files”, ku parashikohen tre komplekse të mëdha me vila, hotele dhe apartamente.
Zhupa e cilësoi këtë si pasojë të drejtpërdrejtë të Ligjit nr. 21/2024, i cili, sipas saj, hapi rrugën për ndërtime në zonat e mbrojtura, dhe kërkoi shfuqizimin e menjëhershëm të tij. Ajo i bëri thirrje Kuvendit të fusë në rendin e ditës nismën e saj ligjore, të depozituar më 14 maj 2026, për shfuqizimin e këtij ligji, duke theksuar se vonesa e shqyrtimit bie ndesh edhe me kërkesat e Parlamentit Europian për rikthimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Kështu do duket zona e mbrojtur e Zvërnecit sipas projektimeve të paraqitura në librin “Albanian Files”: tre projekte gjigante me vila, hotele dhe apartamente, sikur të ishte një lagje e re e Tiranës, e jo një pasuri natyrore që i përket të gjithë shqiptarëve.
Kjo është arsyeja pse Ligji nr. 21/2024 duhet të shfuqizohet menjëherë. Ai hapi derën për ndërtime në zonat e mbrojtura, duke rrezikuar ekosistemet më të çmuara të vendit dhe duke i kthyer ato në objekt spekulimi e betonizimi.
Ka dy muaj që prej 14 majit 2026 që iniciativa ime për shfuqizimin e këtij ligji mbahet në sirtarët e Kuvendit. Nuk pranojnë as ta fusin në diskutim, sepse nuk duan t’i japin fund modelit të betonizimit të zonave të mbrojtura dhe interesave të mëdha ekonomike pas këtyre projekteve. Nuk duan të zbatojnë as kërkesat e Parlamentit Europian, as standartet e BE dhe të konventave.
Zonat e mbrojtura janë trashëgimi kombëtare, pasuri natyrore dhe detyra jonë është ti mbrojmë, jo ta mbulojmë me beton për pasurimin e një grupi klientësh dhe oligarkësh.
