Përshkallëzohet ndjeshëm konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Teherani pretendon se ka ndërmarrë sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Oman dhe Jordani, si hakmarrje për bombardimet e fundit amerikane në bregdetin jugor të Iranit.
Sipas autoriteteve iraniane, objektiv i sulmeve kanë qenë instalacionet ushtarake amerikane në rajon, ndërsa Uashingtoni ka vijuar operacionet ajrore kundër objektivave iraniane.
Bombardimet amerikane vijnë në një moment tensionesh të larta për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Raportohet për shpërthime në qytetet portuale iraniane Bandar Abbas, Sirik dhe Jask, si edhe në ishullin Qeshm, zona me rëndësi strategjike për transportin ndërkombëtar të naftës.
Një ditë më parë, ushtria amerikane deklaroi se kishte goditur të paktën 140 objektiva në territorin iranian. Në përgjigje, Teherani njoftoi se kishte ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj bazave amerikane në Bahrein, Kuvajt, Oman, Katar dhe Jordani.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet “e hapur” për lundrimin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Autoriteti iranian i Ngushticës së Gjirit Persik këmbëngul se nuk do të lejohet asnjë kalim detar derisa të “rivendosen stabiliteti dhe qetësia” në rajon.
Përplasja e fundit ka rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme, me pasoja të mundshme për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.
