Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për vrasjen e ish-oficerit të policisë, Santiago Malko, në një seancë të shoqëruar me tensione të ashpra mes palëve.

Gjatë seancës, i akuzuari Ilir Selmanaj ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen në atentatin e gushtit të vitit 2019, duke deklaruar përpara togave të zeza: “Deklaroj që jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje.”

Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të nënës së viktimës, e cila ka qenë e pranishme në sallë. Mes emocionesh të forta, ajo iu drejtua gjykatës me akuza direkte ndaj Selmanajt:

“Ky më ka vrarë djalin! Të dënohet me 28 vite burg ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj dhe nxirreni jashtë këtë!”

Pas debateve dhe tensioneve të larta, trupi gjykues mbylli shqyrtimin dhe u tërhoq për vendim. Vendimi përfundimtar i Apelit të GJKKO-së për Ilir Selmanajn, i cili akuzohet si pjesë e klanit “Duka” në përplasjet kundër Ervis Martinajt, do të shpallet zyrtarisht më 17 korrik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb