Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca e Nëntë Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, ku Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit evropian: “Kërkimi Shkencor”, “Arsimi dhe Kultura” dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po shënojnë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Komisionerja nënvizoi se: “Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave, ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Momenti i sotëm duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”.
“Sot është një super e martë për zgjerimin. Për më shumë se dy dekada nuk kemi pasur katër konferenca ndërqeveritare në një ditë dhe kjo do të ndodhë sot. Është një ditë shumë e rëndësishme për presidencën irlandeze dhe një ditë e mirë për zgjerimin, pasi Moldavia, Ukraina, Mali i Zi dhe Shqipëria po hedhin hapin e radhës të rëndësishëm. Këto janë vendet tona kryesore kandidate.
Për Moldavinë dhe Ukrainën do të hapim grupkapitullin e gjashtë, i cili lidhet me marrëdhëniet e jashtme. Ai përfshin gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe përballimin e kërcënimeve hibride. Të dy vendet do të kontribuojnë në arkitekturën e sigurisë së Bashkimit Evropian.
Po ashtu, është një moment vendimtar për Shqipërinë, e cila nis mbylljen e kapitujve të negociatave, dhe sigurisht edhe për Malin e Zi, që sot do të mbyllë edhe dy kapituj të tjerë, duke arritur në 18 nga 33 kapituj gjithsej, pra më shumë se gjysmën.
Është vërtet një ditë për t’u festuar, por edhe një ditë për të parë drejt së ardhmes dhe për të punuar edhe më shumë. Ne kemi mbështetjen e shteteve anëtare, por vetëm nëse vendet kandidate japin rezultate konkrete dhe ne duhet të kujdesemi që kjo të ndodhë”, tha Kos.
