Një 17-vjeçar në Itali ka pranuar për herë të parë se vrau të dashurën e tij 13-vjeçare, Aurora Tila, duke e shtyrë nga ballkoni i një ndërtese në qytetin e Piacenzës, në tetor të vitit 2024.

I riu, i cili ishte 15 vjeç në kohën e ngjarjes dhe identiteti i të cilit nuk bëhet publik për shkak të moshës, ndryshoi deklarimet e tij gjatë procesit në Gjykatën e Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet për pafajësi.

Ai pranoi se e kishte shtyrë 13-vjeçaren shqiptare nga dritarja e banesës më 25 tetor 2024, ndërsa kërkoi falje për krimin dhe për faktin që e pranoi vetëm pas më shumë se një viti.

Në shkallën e parë, adoleshenti ishte dënuar me 17 vite burg për vrasjen e të miturës.

Pas rrëfimit të tij, avokati i familjes së viktimës, Emilio Malaspina, deklaroi se pranimi i fajit mbyll një kapitull të rëndësishëm të çështjes.

“Me këtë rrëfim, një rreth mbyllet. Shpresojmë që Gjykata e Apelit të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, u shpreh ai.

Seanca e radhës në Gjykatën e Apelit është caktuar për 10 shtator, kur pritet të merret vendimi përfundimtar mbi dënimin e 17-vjeçarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb