Posta Shqiptare ka njoftuar se ka zbuluar shkelje dhe parregullsi të rënda në administrimin e fondeve në Filialin e Durrësit.
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, institucioni bën me dije se pas një kontrolli të ushtruar nga Drejtoria Ekonomike, janë konstatuar mospërputhje në rakordimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.
Menjëherë pas zbulimit të skandalit, Posta Shqiptare ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka dorëzuar një kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës.
Hetimet e deritanishme ngrejnë dyshime për shpërdorimin e një shume prej 700 mijë eurosh. Por ka dyshime se ky dëm mund të shkojë deri në 3 mln euro.
Në njoftim sqarohet me rëndësi se fondet e abuzuara nuk prekin skemën e pensioneve. “Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve”, deklaron Posta Shqiptare.
Institucioni nënvizon se ky rast u zbulua falë mekanizmave të tij të kontrollit të brendshëm dhe shpreh vendosmërinë për të zbatuar një politikë të “tolerancës zero” ndaj çdo shpërdorimi detyre apo abuzimi me paratë publike. Çështja tashmë ndodhet në duart e drejtësisë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive penale të personave të përfshirë.
