Një operacion antidrogë i koduar “Lightning” ka zbuluar pesë ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit në fshatin Velë të Lezhës. Si rezultat i aksionit, policia ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka asgjësuar 174 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas disa javësh hetime dhe informacionesh operative për kultivim të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe të hapura.
Në pranga ranë shtetasit M. F., 39 vjeç, pronari i banesës në fshatin Velë, dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Gjatë kontrollit në banesën e përshtatur për kultivimin e kanabisit, uniformat blu gjetën një ambient ku ishin kultivuar 119 bimë narkotike me anë të llambave dhe pajisjeve të posaçme, të cilat furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Dy ambiente të tjera në të njëjtën banesë ishin përgatitur për të njëjtin aktivitet kriminal. Ndërkohë, në afërsi të banesës u zbuluan edhe dy parcela ku ishin kultivuar 55 bimë të tjera Cannabis Sativa.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy armë gjahu, pajisje elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike, një sasi lënde e dyshuar narkotike, një automjet dhe 18 celularë.
Policia bëri të ditur gjithashtu se gjatë kontrolleve në banesën e 27-vjeçarit u gjetën edhe 16 celularë, për të cilët vijojnë hetimet për të përcaktuar mënyrën e sigurimit dhe qëllimin e përdorimit.
Në kuadër të hetimeve, janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të OShEE-së, me detyra shef grupi, lexues dhe elektricistë. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
