Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë jashtë selisë së PD tha se ekipi drejtues i propozuar përfaqëson nivelin më të lartë që ka pasur ndonjëherë kjo forcë politike, duke theksuar përfshirjen e figurave me profil të lartë akademik, të rinjve dhe grave.
“Në këtë ekip që keni sot para jush ka personalitete që kanë publikime në revistat botërore. Asnjëherë nuk ka pasur në histori një ekip si ky. Ka një përfaqësim të lartë të të rinjve, të zonjave dhe përfshirje të të gjitha sensitiviteteve,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se çdo anëtar ka të drejtën të shprehë mendimin e tij, ndërsa procesi i zgjedhjes zhvillohet me votim të fshehtë mes dy kandidaturave.
“Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Ne votojmë fshehtas me dy kandidatura dhe kandidaturat janë të pakrahasueshme për cilësitë e tyre,” tha ai.
Sa i përket ndryshimeve në drejtimin e qarqeve, Berisha sqaroi se procesi do të vijojë gradualisht dhe do të shoqërohet me një rinovim të thellë të strukturave të partisë.
“Ky është një proces i vazhdueshëm, por ndryshimet do të bëhen dorë për dore. Ka një përtëritje të thellë dhe të paprecedentë të Partisë Demokratike,” deklaroi kreu i PD-së.
Berisha shpjegoi gjithashtu se emrat e propozuar nuk u publikuan më herët për të shmangur ndikimet dhe lobimet gjatë procesit.
“Për të zvogëluar në maksimum lobimin, nuk ua dhashë emrat që në mëngjes. Kam kërkuar që kandidatët të njoftohen vetëm në sallë,” u shpreh ai.
Lidhur me debatet e zhvilluara gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar me Ilirjana Kuçanën, Berisha tha se askujt nuk i mohohet e drejta e fjalës, por çdo veprim duhet të respektojë statutin e partisë.
“E lashë të flasë dhe nuk i mohohet kurrkujt. Çdo njeri është i lirë të shprehë mendimin. Në përputhje me statutin mund të paraqesë rezolutë. Nëse e bëjmë jashtë statutit, nuk është detyra ime,” deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha garantoi transparencë për procesin e votimit, duke theksuar se rezultati do të shpallet publikisht.
“Rezultatin kjo parti e nxjerr para kamerave. Vota është sekrete,” përfundoi ai.
Deklarata e plotë:
Ditë shumë e rëndësishme në të cilën PD-ja mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj. Kjo besoj se është e qartë, një frymë ripërtëritje në tërësi, në zbatim të motos më kryesore të Kuvendit që ishte ripërtëritja.
Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka patur kurrë më parë. Të garantoj që një ekip si ky në kompetencë dhe eksperiencë, në formim, është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat dhe këtë ju mund të merrni të shqyrtoni me radhë.
Në këtë ekip që ju keni sot para, ka personalitete të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore. Ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre, në fushën politike, pra unë them se asnjëherë në histori një ekip si ky nuk ka patur. Ka një përfaqësim më të madh se asnjëherë të të rinjve, dhe kjo është direktiva e Kuvendit, ka një përfaqësim të zonjave, ka pra një proporcionim të shkëlqyer të të gjitha sensitiviteteve, të të gjitha potencialeve të kësaj partie.
Këto zëra janë normale, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por siç e shihni, ne votojmë me dy kandidatura, votojmë fshehtas, dhe njëherë them, që kandidaturat e paraqitura para Këshillit Kombëtar janë kandidaturat më, do të thosha, të pakrahasueshme në kualitetet e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm.
Tani, ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do jetë doradorës.
Gjithçka do bëhet, ndryshimet që do dalin, se ne do presim rezultatet e votimit. Por them dhe njëherë, se ka një ripërtëritje të thellë të të gjithë udhëheqjes, drejtuese, të Partisë Demokratike, të paprecedentë.
