Kryeministri britanik në largim, Keir Starmer, do të zhvillojë këtë të enjte një vizitë në Kiev, ku do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke riafirmuar se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën do të mbetet “e palëkundur”.

Në deklaratën e tij përpara vizitës, Starmer vlerësoi qëndresën e popullit ukrainas që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, duke theksuar se lufta e Ukrainës ka kontribuar në ruajtjen e sigurisë së gjithë Evropës.

“Kur u bëra kryeministër, e dija se Mbretëria e Bashkuar nuk duhej vetëm të qëndronte pranë Ukrainës në këtë moment, por edhe të ndihmonte në ndërtimin e themeleve të sigurisë dhe suksesit të saj afatgjatë,” deklaroi Starmer.

Gjatë mandatit të tij, Londra ka nënshkruar një partneritet 100-vjeçar me Ukrainën, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë. Po ashtu, qeveria britanike ka udhëhequr përpjekjet për krijimin e një force të ardhshme paqeruajtëse dhe ka rritur investimet në mbrojtje dhe teknologjitë ushtarake.

Vizita zhvillohet në një kohë kur Ukraina vijon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse. Ditët e fundit, Rusia ka goditur infrastrukturën portuale në Odesa, ndërsa tetë persona humbën jetën pas sulmeve ndaj cisternave të naftës në Detin e Zi.

Në samitin e NATO-s në Turqi javën e kaluar, presidenti Zelensky u bëri thirrje aleatëve të shtojnë furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore për të përballuar sulmet intensive ruse. Më pas, presidenti amerikan Donald Trump autorizoi Ukrainën të prodhojë raketa Patriot, të cilat pritet të forcojnë mbrojtjen kundër raketave balistike ruse.

Ndërkohë, Britania ka nisur dorëzimin e serisë së parë nga 150 tyta artilerie të prodhuara nga BAE Systems, në kuadër të një kontrate me vlerë 61 milionë paundësh për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.

“Jam shumë krenar për atë që Britania ka kontribuar. Kjo punë do të vazhdojë dhe mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën do të vazhdojë gjithmonë,” u shpreh Starmer.

Vizita në Kiev është një nga angazhimet e fundit ndërkombëtare të Starmer si kryeministër. Ai pritet t’ia dorëzojë drejtimin e Partisë Laburiste Andy Burnhamit, i cili do të zgjidhet zyrtarisht udhëheqës të premten dhe pritet të marrë detyrën e kryeministrit të hënën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb