Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. I pari që ka marrë fjalën ka qenë deputeti Redi Muçi, i cili ka kërkuar reagim nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe qeveria shqiptare në lidhje me deklaratën e ministres serbe, Snežana Paunović, e cila deklaroi se do të spastronte etnikisht Kosovën.
Ai u shpreh se Rama merret me protestuesit, por nuk reagon për çështje të interesit kombëtar.
“Çfarë pret kryeministri për të reaguar për deklaratën e ministres serbe dhe mbështetjes së dhënë ndaj kësaj deklarate nga Daçiç, ndërsa Kosova e ka shpallur zonjën non grata. Spastrimi etnik është shpallur krim kundër njerëzimit. Deklarata të tilla shoviniste shkelin Kushtetutën e Shqipërisë, ku shkruhet se mbrohen të drejtat e popullit shqiptar që jetojnë jashtë saj. Nëse Rama nuk mban qëndrim për këtë deklaratë, për çfarë do të mbajë?”, tha ai.
Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar më parë rezolutën e opozitës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
“Ky që zbuloi agjenturat e huaja në protestë dhe u mor një nga një me protestuesit, që sulmonte figurat e njohura që iu bashkuan protestës, që ka lëshuar Taulantin të sulmojë edhe ata pak gazetarë që kanë mbetur dhe që nuk ngurroi të merret edhe me Dua Lipën, por nuk mban një qëndrim për deklaratën e ministres serbe, sepse mbase së bashku me mikun e tij Vuçiç e ka zënë i njëjti hall: rinia i përçmon”, u shpreh Mucci.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se qeveria shqiptare ka reaguar, ndërsa ka ashpërsuar gjuhën ndaj deputetit Mucci.
“Sa i përket deklaratës, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politik, por janë çështje të rëndësisë kombëtare dhe nuk mund të tallemi. Një kadet i ri i Parlamentit kërkon të marrë vëmendje. Ne nuk jemi karagjozë si puna jote, nuk tallemi me çështjet kombëtare. Për Ramën, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën, sepse është i vetmi kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit dhe e ka bërë me dije të plotë edhe në Bruksel”, tha Balla.
