Zbardhen detajet e ngjarjes në Shkodër. Policia bën me dije se rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit, shtetasi A. K., 41 vjeç, pasi kishte marrë dijeni për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë, dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 41 vjeç, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. F.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb