Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Partinë Socialiste se ka prishur dakordësinë për Reformën Territoriale, duke vendosur ta miratojë në mënyrë të njëanshme, pa konsensus me opozitën.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se procesi është ndërprerë, pasi sipas tij nuk kanë përfunduar konsultimet e parashikuara. Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar mazhorancën që ta çojë përpara reformën pa opozitën.

Në përfundim, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbetet kundër variantit të propozuar nga mazhoranca dhe paralajmëroi se do të përdorë të gjitha mjetet për ta kundërshtuar reformën.

“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike.
Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. S’kanë përfunduar konsultat e parashikuara e të miratuara sipas rregullave. Zoti Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer, serioze dhe sapo zoti Boçi kërkoi atë që ne kemi pasur kusht që në fillim, që ky komision i reformës territoriale të asistohet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, që është dhe institucioni me ekspertizën më të madhe në këtë fushë, dhe unë me këtë rast dua të falënderoj edhe qeverinë e Konfederatës Zvicerane, ambasadën e Zvicrës në Tiranë, por edhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian për interesin e tyre dhe mbështetjen e tyre direkte të kësaj reforme, tani papritmas aty ndryshojnë gjërat. Edi Rama duket se urdhëron komisionin që të shkojnë në mënyrë të njëanshme”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb