Tetë kompani të tregut të hidrokarbureve kanë paditur qeverinë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim. Sipas operatorëve, humbjet janë shkaktuar nga mënyra e përdorur për përcaktimin e çmimit të karburanteve gjatë funksionimit të Bordit të Transparencës.
Kompanitë pretendojnë se formula e përdorur për llogaritjen e çmimit nuk ka reflektuar koston reale të importit, pasi është marrë parasysh vetëm vlera e karburantit në vendin e blerjes, pa përfshirë të gjitha shpenzimet shtesë, si transporti dhe sigurimi deri në mbërritjen e tij në Shqipëri. Sipas tyre, në praktikë ato kanë paguar një kosto më të lartë për sjelljen e karburantit në vend, duke krijuar humbje financiare.
Një tjetër kundërshtim lidhet me mënyrën e llogaritjes së TVSH-së. Operatorët argumentojnë se, ndërsa çmimi maksimal i shitjes është përcaktuar mbi një bazë më të ulët kostoje, detyrimet tatimore janë llogaritur mbi vlerën totale të importit, duke sjellë një kosto shtesë për kompanitë.
Ata thonë gjithashtu se formula e miratuar në vitin 2022 nuk pasqyron më ndryshimet në treg dhe rritjen e shpenzimeve gjatë viteve të fundit, përfshirë inflacionin, pagat, sigurimet dhe kostot e tjera të operimit. Sipas kompanive, kjo metodologji ka ulur edhe marzhin e fitimit dhe ka krijuar vështirësi financiare, veçanërisht për operatorët më të vegjël.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
