Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.3 ballë ka goditur brigjet perëndimore të Meksikës, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe duke u ndjerë edhe në vendet fqinje, Guatemalë dhe El Salvador. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 17:48, me epiqendër rreth 48 kilometra në jugperëndim të Aquiles Cerdán, në një zonë detare pranë kufirit me Guatemalën. Thellësia fokale e tërmetit u vlerësua në 15.2 kilometra.

Ndërkohë, Shërbimi Sizmologjik Kombëtar i Meksikës (Servicio Sismológico Nacional – SSN) raportoi se thellësia e tërmetit ishte rreth 10 kilometra dhe se epiqendra ndodhej në det, rreth 135 kilometra në jugperëndim të qytetit Hidalgo, në shtetin Chiapas.

Lëkundjet u ndjenë fuqishëm edhe në kryeqytetin e Guatemalës, ku disa ndërtesa u tronditën dhe banorët dolën në rrugë nga frika. Sipas dëshmitarëve të cituar nga Reuters, disa godina u evakuuan, përfshirë edhe një ndërtesë qeveritare.


Tërmeti u raportua se u ndje gjithashtu në El Salvador, ku banorët deklaruan për Reuters se kishin ndjerë lëkundjet. Deri në momentin e raportimeve të para nuk kishte njoftime për viktima apo përmasat e dëmeve materiale, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb