Gazetari Osman Stafa i ftuar në programin e drekës, në News 24 ka folur për kërcënimin që mori pak ditë më parë, pas denoncimit të tij se një kompani po ndot lumin Shkumbin, duke marrë inerte për ndërtimin e rrugës.
Ai tha se ishte nisur drejt zonës së Hotolishtit, në Librazhd, për të verifikuar dhe dokumentuar me pamje filmike denoncimet e qytetarëve lidhur me marrjen e inerteve nga lumi Shkumbin dhe pasi përfundoi është ndjekur nga një makinë në të cilën ndodheshin dy persona.
Ai tha se personat e shoqëruar nga policia nuk janë ata që ai kishte parë.
Gazetari deklaroi se ai do të vijojë ta ndjekë rastin dhe nuk frikësohet.
“Kam marrë denoncime për masakrën që po i bëhet lumit Shkumbin ku po merren inerte për të ndërtuar rrugën.
Kjo rrugë është bërë edhe në vitin 2001nga një kompani nga RMV dhe mallet dhe kodrat nuk janë prekur, pse po preket tani?
Arsyeja e marrjes së inerteve në mënyrë të parregullt është sepse nuk duan të harxhojnë para dhe për këtë kanë gjetur mënyrën më të thjeshtë.
Banorët duhet të ndërgjësohen për katastrofën dhe janë ndërgjegjësuar, më kanë sjellë video.
Rreth 100 metra nga rruga është ulur mali, pasi kam filmuar në Hotolisht kam shkuar drejt Elbasanit. Kam parë gjurmën se ku kalon rruga, ku këto kompani hedhin inertet për të parë dhe verifikuar. Çdo gjë që marrin e hedhin në Shkumbin.
Në afërsi të hotel “Ballkanit” kam parë një kamion që po merrte inerte dhe doja të regjistroja aktin e marrjes me ekskavator të inerteve.
E kam depozituar edhe në kallëzimin penal.
Pas disa sekondash ka adhur një makinë në drejtimin tim, më herët ishte 150-200 metra larg meje në mënyrë që të shihte veprimet e mia.
Pasi është parë akti im janë vendosur pas, kanë parë logon e televizionit.
Makina vijonte të më ndiqte edhe drejt Elbasanit, duke ma bërë edhe me drita dhe u afrua tej mase.
Ngadalësova pak që të më parakalonin, por kaluan para makinës sime. Ngjarja ka dhe dëshmitarë që kanë parë situatën ( lexon mesazhet).
Ndaloi makina dhe ndalova edhe unë, duke bërë mbrapsh.
Kam parë dy persona, jam ndjekur derisa e humba makinën.
Kam njoftuar policinë e shtetit që po ndiqesha nga një makinë.
Në Komisariat mësova edhe kujt i përkiste makina. Policia mori dy persona, por nuk ishin ata persona, s’ishte personi i bëshëm që pashë.
Ata persona i ka futur kompania, ata persona nuk e bëjnë këtë akt mafioz, por polica thotë që ata janë gjetur në makinë.
Nuk ishin personat që bënë aktin ata që erdhën në Policinë e Elbasanit. Nuk kam frikë, do ta ndjek rastin, pasi e besoj, i kam hyrë një rrugë për të luftuar padrejtësinë”, tha ai.
