Franca është bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që miraton një ligj që ndalon aksesin në platformat e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Projektligji u miratua të martën nga Parlamenti francez, fillimisht në Senat me 243 vota pro dhe 2 kundër, ndërsa më pas mori miratimin edhe në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit, me 279 vota pro dhe 81 kundër.
Masa është mbështetur nga presidenti Emmanuel Macron, i cili synon që ajo të zbatohet që në fillim të vitit të ri shkollor në shtator, me qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor dhe mirëqenies së të miturve.
“Ne francezët do të duhet të gjithë të vërtetojmë moshën tonë për katër muaj. Nëse jemi nën 15 vjeç, llogaria në platformë do të mbyllet”, deklaroi ministrja e Medias Dixhitale, Anne Le Havre.
Sipas ligjit, për llogaritë e reja ndalimi do të nisë të zbatohet nga 1 shtatori, ndërsa për llogaritë ekzistuese do të hyjë në fuqi pas përfundimit të periudhës së verifikimit të moshës, më 1 janar 2027.
Megjithëse disa deputetë kanë shprehur dyshime për zbatimin praktik të kësaj mase në një kohë kaq të shkurtër, qeveria franceze këmbëngul se sistemi i verifikimit të moshës do të jetë funksional.
Ligji parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme, duke zgjeruar një masë që tashmë aplikohet në shkollat fillore dhe ato të mesme. Rregulloret e brendshme të shkollave mund të përcaktojnë raste përjashtimore.
Teksti ligjor nuk parashikon ndëshkime për fëmijët apo prindërit e tyre. Përgjegjësia do t’u kalojë platformave të rrjeteve sociale, të cilat do të duhet të verifikojnë moshën e përdoruesve.
Komisioni Europian ka prezantuar në prill një aplikacion europian për verifikimin e moshës, ndërsa kompani private kanë zhvilluar gjithashtu teknologji të ngjashme për kontrollin e aksesit të të miturve në internet.
