Kostoja e operacioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit ka arritur në 37.5 miliardë dollarë, bëri të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një seance dëgjimore në Kongres, ku kërkoi fonde emergjente për të mbështetur vazhdimin e konfliktit. Hegseth deklaroi se shifra përfshin shpenzimet e deritanishme të luftës, si edhe kostot e parashikuara deri më 30 shtator. Ai nuk dha detaje mbi mënyrën e llogaritjes së kësaj vlere, ndërsa më herët administrata Trump kishte vlerësuar se vetëm gjashtë ditët e para të konfliktit kishin kushtuar mbi 11 miliardë dollarë.
Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Kongresit miratimin e një pakete shtesë prej afro 90 miliardë dollarësh, ku pjesa më e madhe e fondeve do të përdoret për operacionet ushtarake kundër Iranit. Kërkesa vjen vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, duke e kthyer luftën në një temë të fortë përplasjesh politike në Uashington. Demokratët kanë kritikuar administratën Trump për mungesë transparence mbi strategjinë ushtarake dhe kostot e konfliktit.
“Presidenti po kërcënon me përshkallëzim dhe po e çon vendin drejt një lufte pa fund”, deklaroi senatorja demokrate Patty Murray gjatë seancës. Edhe senatorja Kirsten Gillibrand akuzoi administratën për mesazhe kontradiktore mbi ecurinë e luftës. Hegseth paralajmëroi se, nëse Kongresi nuk miraton fondet shtesë, Pentagoni do të detyrohet të kufizojë stërvitjet ushtarake dhe disa programe të mirëmbajtjes. Edhe kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Dan Kane, pranoi se konflikti po ushtron presion të madh mbi buxhetin e mbrojtjes, duke rrezikuar investimet në kapacitetet e ardhshme ushtarake.
Sekretari i Mbrojtjes u bëri gjithashtu thirrje ligjvënësve të mbështesin një projektbuxhet prej 1.5 trilion dollarësh për Departamentin e Mbrojtjes për vitin fiskal 2027. “Mosfinancimi i këtij departamenti në këtë nivel është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare”, u shpreh Hegseth.
Konflikti vazhdon të përshkallëzohet
Armëpushimi i arritur më herët mes SHBA-së dhe Iranit u shemb në fillim të këtij muaji dhe të dyja palët kanë vijuar me sulme të përditshme. Sipas Pentagonit, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në konflikt ka arritur në 18, ndërsa rreth 430 ushtarakë janë plagosur. Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se shumica e të plagosurve janë rikthyer tashmë në detyrë. Ndërkohë, presidenti Trump ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake, duke përfshirë objektiva strategjikë si termocentralet, urat dhe kompleksin nëntokësor bërthamor të njohur si Pickaxe Mountain, për të cilin tha se SHBA-ja do ta “çmontojë shumë shpejt”.
